Dalin detaje të reja nga hetimet për vdekjen e Aurora Tilës, 13-vjeçares shqiptare që humbi jetën tragjikisht më 25 tetor 2024 në Piacenza, Itali. Rezultatet e autopsisë kanë përjashtuar mundësinë e vetëvrasjes, duke konfirmuar se e mitura është shtyrë nga tarraca e pallatit ku jetonte.
Autor i dyshuar për këtë akt të rëndë është ish-i dashuri 15-vjeçar i Aurorës, i cili ndodhet në paraburgim, i akuzuar për vrasje me dashje. Sipas mjekut ligjor Giovanni Cecchetto, lëndimet që kishte trupi i Aurorës nuk përputhen me një akt vetëvrasjeje, por janë rezultat i një përplasjeje të dhunshme.
Dëshmitarët e pranishëm treguan se panë 13-vjeçaren të varur në parmak, duke u përpjekur të shpëtonte, ndërsa djali e goditi me forcë në duar, duke bërë që ajo të humbiste ekuilibrin dhe të rrëzohej në tokë.
Autopsia dhe deklaratat e dëshmitarëve kanë forcuar më tej hipotezën e hetuesve, të cilët dyshojnë se ngjarja është një akt i paramenduar dhune nga ana e 15-vjeçarit. Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave vijojnë.