Automatik, mijëra fishekë dhe 12 granata, gjendet arsenal armësh në Vlorë. Ja ku ishin fshehur
Pas informacioneve që kishte policia ka ushtruar kontroll në një ndërtesë në Vlorë ku janë gjetur të fshehura në mur 2 armë zjarri automatike, mbi 2200 fishekë luftarak dhe 12 granata difensive të cilat janë sekuestruar.
Sipas bluve banesa ku u gjetën armët dhe municioni është në pronësi të shtetasit Gj. K., 67 vjeç, banues në lagjen “Hajro Çakërri”, i cili, në përfundim të veprimeve procedurale, është proceduar penalisht në gjendje të lirë, për shkak të moshës dhe të gjendjes shëndetësore.
Armët e zjarrit dhe municioni do të dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore, për ekspertim.
Njoftimi:
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë, në vijim të kontrolleve për parandalimin dhe goditjen e veprimtarive të paligjshme, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, kanë ushtruar kontroll në një ndërtesë të vjetër të pabanuar, në lagjen “Hajro Çakërri”, Vlorë, në katin e dytë të së cilës gjetën të murosura disa armë dhe municion luftarak.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan: 2 armë zjarri automatike, 12 granata difensive pa ndezës, 14 ndezës granatash të mbështjellë me letër dhe rreth 2200 fishekë luftarak.
Armët dhe municioni do të dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore, për ekspertim të mëtejshëm, me qëllim përcaktimin nëse janë përdorur në ngjarje kriminale.
Nga verifikimet rezultoi se ndërtesa ku u gjetën armët dhe municioni është në pronësi të shtetasit Gj. K., 67 vjeç, banues në lagjen “Hajro Çakërri”, i cili, në përfundim të veprimeve procedurale, është proceduar penalisht në gjendje të lirë, për shkak të moshës dhe të gjendjes shëndetësore.
Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme