Autobus rrokulliset në Gjermani, 20 të plagosur
Një aksident i rëndë është regjistruar në Gjermaninë veriore, ku një autobus i kompanisë Flixbus është përmbysur në autostradën A19, duke shkaktuar plagosjen e 20 pasagjerëve, mes tyre një në gjendje kritike.
Ngjarja ndodhi pranë kryqëzimit Robel, në drejtim të Berlinit, ndërsa autobusi po udhëtonte nga Kopenhaga drejt Vjenës, me gjithsej 55 persona në bord. Sipas raportimeve, mjeti doli fillimisht nga rruga në të djathtë dhe më pas u përmbys.
Njëri prej të plagosurve mbeti i bllokuar për rreth dy orë nën strukturat e autobusit dhe ndodhet aktualisht në kujdes intensiv.
Në vendngjarje ndërhynë shërbimet e urgjencës, zjarrfikësit dhe një helikopter shpëtimi. Autoritetet gjermane kanë nisur një hetim për të zbardhur shkaqet e aksidentit, të cilat për momentin mbeten të panjohura.