Audio-regjistrimi për “21 janarin” dërgohet për ekspertim në laboratorin e SPAK

 

 

 

 

 

SPAK ka dërguar në laborator për ekspertim audio-përgjimin e dorëzuar pak javë më parë, e cila sipas familjareve të Aleks Nikës, një nga katër të vrarët në bulevard, tregon se vrasjet janë krim shtetëror dhe janë kryer me urdhër.

Prova më e fortë që SPAK ka në duar në hetimet për 21 janarin, audio e komunikimit të personave që dhanë urdhrin për të qëlluar me plumba ndaj protestuesve.

Audio po ekspertohet në laboratorin e SPAK për të zbuluar origjinalitetin e saj dhe më pas verifikimin se kujt i përkasin zërat.

Në audion nga komunikimi i garditësve me radio, ish-komandanti i tyre Ndrea Prendi jep urdhër për zjarr, e pritet që tashmë ish-kreu i gardës të tregojë eprorët që dhanë urdhrin.

Audio regjistrimi që flitet se është 34 minuta është bërë nga një person që ka pasur akses në komunikimin e një kanali të konsideruar të sigurt që përdorej nga drejtues të lartë të Gardës.

Regjistrimi i këtij komunikimi të brendshëm është bërë me një diktofon dhe pas 13 vitesh nga protesta e 21 janarit 2011, kaseta origjinale u dorëzua në SPAK.