Audio që ngre pikëpyetje për kujtesën e Biden! Harron datën e vdekjes së djalit dhe vitin e largimit nga detyra e nënpresidentit

Një incizim audio i publikuar nga mediat amerikane ka ngritur dyshime mbi gjendjen mendore të ish-presidentit Joe Biden, duke zbuluar se ai ka pasur vështirësi në kujtimin e disa ngjarjeve kyçe të jetës së tij gjatë një interviste me një hetues të Departamentit Amerikan të Drejtësisë, realizuar para dy vitesh.

Në këtë regjistrim, Biden dëgjohet duke hezituar të kujtojë vitin kur u largua nga posti i nënpresidentit të SHBA-së dhe madje edhe datën e vdekjes së djalit të tij, Beau Biden. Ish-bashkëpunëtorët e tij në Shtëpinë e Bardhë kanë mohuar se presidenti ka pasur probleme me kujtesën, duke e cilësuar atë si të përqendruar dhe të angazhuar.

Intervista është zhvilluar nga ekipi i Prokurorit Special Robert Hur, në kuadër të hetimeve për mbajtjen e dokumenteve të klasifikuara në banesën dhe zyrën e mëparshme të Biden-it. Një raport i publikuar në shkurt 2024 nga prokurori Hur e përshkroi Biden-in si një “burrë i moshuar, me qëllime të mira, por me kujtesë të dobët”, por nuk ngriti akuza penale ndaj tij.

Administrata e Biden-it vitin e kaluar refuzoi të publikojë regjistrimin, duke e cilësuar si “material hetimor të mbrojtur nga Kushtetuta”, ndërsa demokratët kanë akuzuar republikanët se po përpiqen ta përdorin këtë çështje për qëllime politike.

Ndërkohë, një libër i ri, “Original Sin” nga autorët Jake Tapper dhe Alex Thompson, pretendon se gjendja shëndetësore e Biden-it gjatë vitit të kaluar ka qenë aq e përkeqësuar, sa brenda stafit të Shtëpisë së Bardhë janë zhvilluar diskutime për mundësinë e përdorimit të karrocës me rrota për presidentin. Sipas librit, Biden në disa raste nuk ka qenë në gjendje të njohë aktorin e njohur të Hollywood-it George Clooney apo të kujtojë emrat e këshilltarëve të tij kryesorë.