Atletja shqiptare humb jetën tragjikisht në Irlandë, përplaset nga një fuoristradë ndërsa vraponte

Atletja shqiptare Anila Muçaj ka humbur jetën tragjikisht në moshën 48-vjeçare, pasi u përplas nga një fuoristradë teksa po vraponte në urën Blennerville në Irlandë. Ajo ishte duke kryer stërvitjen e përditshme me dy miq të saj, të cilët mbetën të lënduar lehtë nga aksidenti. Ndërkohë, drejtuesi i mjetit, një i moshuar, përfundoi në spital.

Muçaj, nënë e dy fëmijëve, ishte një anëtare e pasionuar e klubit të atletikës “Born to Run” në Tralee dhe kishte marrë pjesë në disa maratona ndër vite.

Lajmi ka tronditur komunitetin vendas, ndërsa bashkëqytetarët dhe miqtë e saj kanë shprehur dhimbjen e thellë për humbjen e saj. Klubi ku ajo ishte pjesë shkroi në rrjetet sociale:

“Sot kemi mbetur të shkatërruar nga lajmi tragjik se bukuroshja jonë, mikesha e mirë Anila ka ndërruar jetë pas një aksidenti. Lutjet tona janë me bashkëshortin dhe dy djemtë e saj të bukur dhe me gjithë familjen e Anilës në këtë kohë.”

Kryetari i Bashkisë së Tralee, Mikey Sheehy, e quajti ngjarjen një tronditje të madhe për qytetin, duke nënvizuar se Anila ishte një person i dashur dhe i respektuar nga të gjithë.