Atentati në Lundër/ Sekuestrohen sendet e përdorura nga autorët dhe ADN mikse! Ja ku janë fokusuar hetimet
Zbardhen detaje të reja nga hetimet lidhur me atentatin e 17 prillit në Lundër.
Grupi hetimor ka përfituar ADN mikse pas analizave laboratorike dhe po kryen krahasimet përkatëse.
Por nga u përfituan këto mostra ADN-je?
Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se në vendin e ngjarjes, ku dyshohet se ishin fshehur autorët, janë gjetur disa sende si: çanta, doreza dhe pinca.
Dyshohet se këto mjete janë përdorur për të prerë telin e rrethimit, ku autorët ishin strehuar me motor.
Po ashtu, hetuesit janë fokusuar në kqyrjen e kamerave të sigurisë jo vetëm ditën e ngjarjes, por edhe disa ditë përpara saj, pasi kanë dyshime dhe informacion se autorët kanë lëvizur me motor për disa ditë rreth vendit të ngjarjes, si dhe në zonën e Lundrës, ku dyshohet se kanë studiuar terrenin.
Janë përfituar të dhëna të rëndësishme për grupin hetimor dhe po vijon analizimi i provave të mbledhura deri më tani.