Atentati në Athinë/ Dy të dyshuarit shqiptarë mohojnë akuzat, kërkojnë provat audio-vizuale!
Dy të dyshuarit për atentatin e 15 dhjetorit në Thrakomakedones të Athinës, ku mbeti i vrarë 47-vjeçari Irakli Davella dhe u plagosën 46-vjeçari Edi Lulo alias Etmond Hysa dhe një tjetër shqiptar, janë paraqitur sot në Gjykatën e Greqisë.
Jenis Tulja, 44 vjeç, dhe Mirjan Guveli, 45 vjeç, kanë mohuar çdo përfshirje në ngjarjen e rëndë, duke refuzuar të japin deklarata para trupit gjykues. Ata argumentuan se nuk mund të mbrohen pa u njohur më parë me të gjitha provat, veçanërisht me materialin audio-vizual, që sipas avokatëve të tyre, ende nuk është vënë në dispozicion.
Në një deklaratë me shkrim, avokatët mbrojtës Manolis Anastasakis dhe Spyridon Dionysiotis u shprehën: Klientët tanë mohuan akuzat dhe ushtruan të drejtën për të heshtur, pasi nuk na është dorëzuar i gjithë materiali hetimor, përfshirë provat audio-vizuale, që janë thelbësore për procesin. Ne rezervojmë të drejtën për një seancë shtesë kur të kemi akses në këto prova.
Ndërkohë, hetimet për zbardhjen e plotë të atentatit vazhdojnë, ndërsa autoritetet greke janë duke analizuar të dhënat që mund të çojnë në zbardhjen e ngjarjes.