Atentati ndaj shqiptarëve në Athinë rihapet dosja e vrasjes së Roan Brahimi, policia dyshon se …

Policia greke rihap edhe njëherë hetimet për vrasjen e ndodhur në 9 Maj 2024, në Virona të Athinës, ku u ekzekutua 32-vjeçari shqiptar Roan Brahimi, alias Sidorel Prendi, i njohur edhe me pseudonimin “Sidi”.

Policia greke thotë se ka dyshime që atentati i së dielës në Thrakomakedones të Athinës, ku mbeti i vrarë Irakli Davella mund të ketë lidhje me këtë sagë hakmarrjeje të nisur nga Shqipëria.

Objektiv i atentatit me shumë mundësi ka qenë 46-vjecari Edi Lulo, alias Etmond Hysa, i cili jeton në Dubai dhe në 9 Dhjetor kishte ardhur në Greqi pas një fluturimi nga Duseldorfi i Gjermanisë.

Policia ka identifikuar edhe një prej dy personave të tjerë që ndodhej në kafe me viktimën Irakli Davella dhe të plagosurin Edi Lulo, pak para atentatit. Bëhet fjalë për personin që ndodhej pranë viktimave në momentin e të shtënave.

Ai është një shqiptar që njihet në Greqi me pseudonimin “Pigmakos”, që në shqip përkthehet “Boksieri”. Rezulton me precedentë penalë për gjobvënie dhe vjedhje, ndërkohë që dyshohet se ka mbetur i plagosur lehtë në ngjarje. Policia greke është vënë në kërkim të tij, për të marrë dëshminë, pasi rezulton të jetë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.

Hetimet e policisë greke do të fokusohen rreth figurës së 46-vjecarit Edi Lulo alias Etmond Hysa, për të cilin nga pala shqiptare kanë mbërritur informacione se ka dyshime të jetë pjesë e grupeve shumë të fuqishme në Shqipëri të përfshira në trafik droge apo ngjarje shumë të rënda kriminale.

Për policinë greke, nuk përjashtohet mundësia që objektiv të kenë qenë edhe të dy të plagosurit, pasi ata ishin disi në distancë kur është hapur zjarr dhe autorët duket se kanë qëlluar ndaj të dyve. Policia ende nuk ka rënë në gjurmët e automjetit tip “Polo” nga ku u hap zjarr, i cili ishte vjedhur disa orë më parë në Patisia të Athinës.