Atentati ndaj prokurorit Arjan Ndoja, GJKKO dënon me burg përjetë Redjan Rrajën


TIRANË- Gjykata e Posaçme ka dënuar me burg përjetë Redjan Rrajën me akuzën se ka qenë një nga ekzekutorët e atentatit ndaj prokurorit Arjan Ndoja ku mbeti i vrarë shoferi i tij Andi Maloku dhe u plagos Landi Muharremi.Ndërkohë, GJKKO ka dënuar me 35 vite burg edhe Arjol Halilajn, i cili sipas SPAK ka pasur rolin e ndihmësit për të larguar autorët nga vendi i ngjarjes. Po ashtu edhe SPAK në pretencë kishte kërkuar të njëjtin dënim për Rrajën dhe Halilajn.

Rraja dhe Halilaj do ta vuajnë dënimin në një burg të sigurisë së lartë, ndërsa ndaj tyre rëndojnë akuzat “Vjedhja”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Vrasja e funksionarëve publikë”, “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, “Grup i strukturuar kriminal”.
Në seancën e 31 majit 2023, SPAK renditi provat e mbledhura ne vendin e ngjarjes, por edhe ato të sigurua nga zbërthimi i dy telefonave të Redjan Rrajës. Sipas akuzës, nipin e ish-deputetit të PS-së e implikon AND-ja e gjetur në një palë syze “Emporio Armani” me inicialet e tij, të gjetura në makinën e autorëve, por edhe elementët biologjikë në rroba, kapele e një palë doreza ngjyre te zezë. Për prokurorinë, zbërthimi i dy telefonave dhe transkriptimi i komunikimeve me platformën SKY ECC, janë të tjera provat që implikojnë të akuzuari në atentatin e ndodhur tek Ura e Shkozetit në autostradën Tiranë-Durrës. Nga transkriptimi i komunikimeve mes anëtarëve të grupit, janë evidentuar terma si “bidon”, “benzin”, “autostradë”, “Arjani” etj, që korrespondojnë me veprimet, planin dhe lëvizjet e autorëve”.