Atentati mafioz në Athinë ku mbeti i vrarë Irakli Davella, policia greke arreston dy shqiptarë

Policia greke ka arrestuar dy shtetas shqiptarë, të moshës 42 dhe 43 vjeç, të cilët akuzohen për përfshirje në atentatin ndaj Irakli Davella, ngjarje e ndodhur më 15 dhjetor 2024 në Athinë. Viktima, 47-vjeçar nga Mesopotami i Finiqit, mbeti i vrarë në vendngjarje, ndërsa miku i tij, Edi Lolo, është plagosur rëndë dhe po lufton për jetën. Sipas burimeve të gazetës greke Protothema, autorët përdorën një automjet të vjedhur për sulmin, duke hapur zjarr mbi viktimat që ndodheshin në makinë.

Pavarësisht të kaluarës kriminale të Davellës, policia greke dyshon se shënjestra kryesore e atentatit ka qenë Edi Lolo, i cili kishte ardhur në Greqi nga Dubai pak ditë më parë. Hetuesit besojnë se ardhja e tij mund të jetë motivuar nga një arsye specifike, duke mobilizuar një grup rival për ta eliminuar.

Davella, i cili njihet si një figurë e njohur në botën e krimit grek, kishte qenë i përfshirë më parë në aktivitete kriminale si zhvatje, organizatë kriminale dhe pastrim parash. Në vitin 2009, ai u arrestua si pjesë e një grupi kriminal në Korfuz, ndërsa më 2013 emri i tij u përmend në Parlamentin grek si pjesë e një grupi mafioz të lidhur me figura të krimit të organizuar. Edhe pse gjatë viteve të fundit nuk kishte veprimtari penale të dokumentuar, dyshohet se ai mund të ketë vazhduar të operojë në mënyrë të fshehtë, veçanërisht në trafikun e drogës.

Irakli Davella rezulton të kishte lidhje të forta në Athinë, Korfuz dhe Sarandë, ku kishte investuar në pasuri të paluajtshme dhe biznese, përfshirë kafene, kënde lojërash dhe një kompani makinash me qira në ishujt grekë. Megjithatë, autoritetet nuk kanë mundur të faktojnë ndonjë aktivitet të paligjshëm të tij në vitet e fundit.

Policia greke vazhdon hetimet, duke shqyrtuar disa pista, përfshirë një pastrim hesapesh mes grupeve rivale mafioze. Mbetet e paqartë nëse Davella ishte shënjestra kryesore apo viktimë aksidentale e një konflikti të drejtuar kundër mikut të tij. Të dy shqiptarët e arrestuar janë marrë në pyetje dhe pritet të dalin para gjykatës në ditët në vijim.