Atentat shqiptarit në Podgoricë, kapet pas disa orësh autori në kanionin e lumit Moraça
Një atentat me armë zjarri ka ndodhur mbrëmjen e kaluar në kryeqytetin e Malit të Zi, Podgoricë, ku një shtetas shqiptar ka mbetur i plagosur. Ngjarja ndodhi rreth orës 21:45 në zonën pranë kodrës së Goricës, ndërsa vetëm pak orë më vonë, autori i dyshuar u kap nga forcat e policisë.
Policia malazeze njoftoi zyrtarisht se autori i dyshuar, shtetasi shqiptar E. B., 23 vjeç, u arrestua në zonën midis urave Blažov dhe Viseći, në kanionin e lumit Moraça. Ai akuzohet për tentativë vrasjeje ndaj bashkëkombasit të tij, B. K., i cili u qëllua dhe u dërgua me urgjencë në Qendrën Klinike të Malit të Zi (QKKM), ku iu nënshtrua ndërhyrjeve kirurgjikale.
Sipas Drejtorisë së Policisë së Malit të Zi, pas atentatit, forcat e Qendrës Rajonale të Sigurisë “Qendra” ndërmorën një operacion të gjerë kontrolli duke bllokuar zonën përreth vendit të ngjarjes dhe pikat kufitare. Në mbështetje u përfshinë oficerë nga Sektori i Parandalimit të Krimit dhe Njësia Speciale e Policisë.
Autoritetet sqaruan gjithashtu se gjatë ndalimit, E.B. posedonte dokumente udhëtimi shqiptare dhe kosovare. Hetimet po vijojnë për të zbardhur motivet e atentatit, ndërsa bashkëpunimi me policinë shqiptare është intensifikuar për të verifikuar të dhëna të tjera operacionale.