Atentat ndaj një shqiptari në Selanik, plagoset me dy plumba – në gjendje të rëndë në spital
Një shtetas shqiptar është plagosur rëndë në orët e para të mëngjesit të sotëm në Neapoli të Selanikut, Greqi. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 05:00, kur një person ende i paidentifikuar ka hapur zjarr ndaj shqiptarit, duke e qëlluar dy herë me armë zjarri.
Sipas burimeve, viktima ndodhej i ulur jashtë një dyqani, së bashku me një shok, kur është sulmuar nga autori. Ai ka marrë dy plumba në bark dhe është transportuar me urgjencë në spitalin “Ippokrateio”, ku ndodhet në gjendje të rëndë.
Policia greke ka nisur hetimet për ngjarjen dhe po punon për identifikimin dhe kapjen e autorit. Sipas informacioneve paraprake, agresori ka mbërritur në vendngjarje në këmbë dhe është larguar po në të njëjtën mënyrë. Autoritetet po analizojnë kamerat e sigurisë dhe po marrin dëshmi për të zbardhur motivet e atentatit.