Partia Socialiste ka përfshirë në listat e saj për zgjedhjet e 11 majit disa emra nga radhët e opozitës, të cilët më herët kanë qenë pjesë e Partisë Demokratike apo partive të tjera opozitare.
Një prej tyre është Zamira Sina, dekane e Fakultetit Ekonomik në Universitetin e Vlorës, e cila dikur kishte mbështetur Partinë Demokratike dhe kishte marrë pjesë në protestën e saj në 2017. Vetë drejtuesi politik i PS në Vlorë, Bledi Çuçi, zbuloi këtë detaj, duke cituar përgjigjen e Sinës: “Atëherë nuk e doja Edi Ramën, tani e dua Edi Ramën”.
Një tjetër figurë që ka kaluar nga opozita te socialistët është Vasil Sterjovski, kryetari i Aleancës së Maqedonasve për Integrimin Europian (AMIE). Pasi Partia Demokratike refuzoi t’i jepte një vend në listën e hapur për Qarkun e Korçës, ai u tërhoq nga koalicioni opozitar dhe iu bashkua socialistëve, edhe pse sërish në listën e hapur.
Nga Partia Republikane është larguar Blendi Sulaj, ndërsa Nusret Avdulla, që më parë ka drejtuar degën e Fierit të PDIU-së dhe ka qenë deputet nga lista e PD-së në 2021, tashmë garon për PS-në në Fier.
Në listën e emrave që kanë kaluar në kampin socialist është edhe Alban Zeneli, ish-deputet i PD-së në vitet 2013-2017, i cili tashmë garon në listën e hapur të PS-së.
Nga Partia e Lirisë ka kaluar në PS edhe Endrit Brahimllari, një nga figurat e njohura të kësaj partie. Pas përplasjeve me Ilir Metën, ai shprehu publikisht dëshirën për t’u angazhuar pranë socialistëve dhe tashmë është pjesë e listës së kandidatëve për deputetë në Tiranë.
Këta kandidatë, ndonëse nuk janë vendosur në listën e mbyllur të PS-së, do të garojnë për të siguruar një mandat deputeti nën siglën e socialistëve në zgjedhjet e 11 majit.