At Zef Pllumi, simboli i dijes, qëndresës dhe kujtesës shënon 100 vjetorin e lindjes/ Spiropali: Figurë e madhe françeskane dhe një nga njerëzit më të shquar të letrave shqipe

Më 28 gusht shënohet njëqindvjetori i lindjes së shkrimtarit të njohur shqiptar, Át Zef Pllumi.  Ai është autor i veprave: “Rrno vetëm për me tregue”, “Antipoezi për shekullin e njëzetë” , “Françeskanët e mëdhaj”, “Ut Heri Dicebamus (Siç thonim dje)”, “Para nji mijë vjetve” (ngjarje të dheut të Arbnit)”, “Frati i Pashallarvet Bushatli të Shkodrës”, “Françeskanët e mëdhaj”, “Historí kurrë e shkrueme”, “Dhetë vjet liri”, “Saga e fëmijnisë”.

Në fillim të vitit 1948 u dënua me tri vjet burgim, që i vuajti në Shkodër, Beden të Kavajës, Orman Pojan të Maliqit. Sapo u lirua, u kthye ndërmjet sivëllezërve të kuvendit françeskan të Arrës së Madhe. Në vitet 1958-1967 shërbeu si famullitar në Malësitë e Dukagjinit. Në shtator të 1967-ës, u arrestua rishtas dhe u dënua me 25 vjet burgim. Këtë herë iu desh të lëvizte nga Spaçi, në Kriporet e Vlorës, në Ballsh, Fier, Zejmen e Shën Vasil të Sarandës. U lirua në prill të vitit 1989, për të rifilluar më 1990 misionin e tij meshtarak në Tiranë e në Shkodër.

Át Zef Pllumi në “Françeskanët e mëdhaj” ka krijuar një vepër monument për monumentet e kulturës shqiptare. Vepra e tij është edhe një dëshmi edhe vlerësim dhe, në fillim e në fund, një vepër autobiografike, si të gjitha veprat e tij, duke dëshmuar përfundimisht që nuk është vetëm një shkrues (skriptor), por edhe krijues  i letërsisë shqipe.

Me kryeveprën e vet “Rrno vetëm për me tregue”, Át Zef Pllumi krijoi veprën më të rëndësishme të llogorologjisë shqiptare, ndër më të njohurat në vendet e botës komuniste, të krahasueshme me veprat e Shalamovit apo të Solzhenicinit.

“Tani të gjithë vrapojnë me ndukë ndoj lek “dija , kanga e historia thirren dokrra kah Shqipnia” herët fort e pat nuhatë këtë tendencë At Gjergj Fishta e cila sot valon si flamuri i dreqit të mallkuem në zyrat ku duhet me u rujtë kujtesa, me u njoftë kontributet, me u shumfishu trashigimia, me u ndertu modelet kombetare, me u shfaqë mirnjohja njerzore e shtetnore për ata që nuk ishin aspak të zakonshëm në morinë e gjanave të pazakonshmë që na lanë trashigim. Habitej qysh në 1945 Ati ynë Pllumi atëbotë 21 vjeçar sesi një popull kaq i vogel mundej me qitë kaq shumë rrugaça teksa peshtyheshin duarlidhun ata që ma shumë se kushdo u perpoqen “me ba Shqipninë e shqiptarët”. Kesi rrugaçash të verbet në çdo shqisë që dinë çmimin e gjithçkaje e vleren e kurrgjajë ka boll edhe sot e natyrisht nuk presim as na duhen nderimet e tyne! Tjetër asht shoqnia tjeter janë ata, paçka se koston e paguan e para e derisa ajo të njohë pergjegjësinë e vet kësaj farë kopukesh ka me i ecë kungulli mbi ujë si transoqeanik. Çdo bihude e tillë ka me u pa tu na krypë mënd qysh asht mirë e qysh asht keq, qysh asht bukur e qysh asht shemtuet e qysh fati i madh nuk na ka lanë pa ta per me ba dallimin historik mes kesaj kotille e burrave si At Zef Pllumi”.

Ndërroi jetë më 25 shtator të vitit 2007 në spitalin Gemelli, Romë, dhe u varros më 30 shtator 2007 në Shkodër. Ai  u vlerësua me çmimin “Penda e Artë” dhe që pas propozimit të Presidentit të Shqipërisë, Alfred Moisiu, në vitin 2006 dekoroi Pllumin me Urdhrin “Nderi i Kombit”.  Për 100 vjetorin e lindjes së At Zef Pllumit, Kryeparlamentarja Elisa Spiropali përkujton shkrimtarin e madh si një shembull për çdo politikan vullnetmirë që ka orientim themelor drejtësinë sociale

Sot përkujtojmë 100-vjetorin e lindjes së At Zef Pllumit.At Zef Pllumi ishte një figurë e madhe françeskane dhe një nga njerëzit më të shquar të letrave, kulturës dhe qytetërimit shqiptar.Me jetën e tij të mbushur me dhimbje dhe vuajtje për shkak të besimit dhe ideve të tij, krijoi një model që u bë pjesë e ndërgjegjes kombëtare dhe identitetit europian të shqiptarëve.Përmes librit të tij “Rrno vetëm për me tregue,” na dha një udhëzues të rëndësishëm se si ky model mund të frymëzojë të gjithë: besimtarë dhe jo besimtarë, të varfër dhe të pasur, qeveritarë dhe qytetarë, të majtë dhe të djathtë, në fshat dhe në qytet, nga lindja në perëndim, nga veriu në jug.Impenjimi i tij kulturor, social e politik, në kuptimin më të gjerë, mbetet shembull për çdo politikan vullnetmirë që ka orientim themelor drejtësinë sociale,” shkruan Spiropali

Check Also

PD kallëzon në SPAK Spiropalin, Hoxhën dhe Drejtorin e Policisë: Persona të armatosur kanosën deputetët

Pak pas përfundimit të protestës dhe tensioneve para Parlamentit nga opozita, ka ardhur edhe reagimi …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *