Asteroidi që mund të godasë Tokën në 2032, NASA: Rreziku më i madh në dy dekada, këto janë qytetet më të rrezikuara

Frika për një përplasje të mundshme të një asteroidi me Tokën në vitin 2032 po rritet, ndërsa NASA ka konfirmuar se shanset që “2024 YR4” të godasë planetin tonë janë 2.3%.

Ky asteroid, me madhësinë e kullës së “Big Ben”-it, mund të kalojë mbi disa prej qyteteve më të populluara të botës. Bazuar në llogaritjet e shkencëtarëve, korridori i rrezikut përfshin rajone nga Oqeani Paqësor, Amerika e Jugut, Oqeani Atlantik, Afrika, Lindja e Mesme dhe Azia. Sipas të dhënave të NASA-s, qytetet që mund të jenë më të rrezikuara nga një përplasje janë Bogotá, Abidjan, Lagos, Khartoum, Mumbai, Kolkata dhe Dhaka. Këto qytete kanë një popullsi të kombinuar mbi 110 milionë banorë.

Ekspertët vlerësojnë se fuqia e një impakti të mundshëm të “2024 YR4” do të ishte ekuivalente me shpërthimin e 8 milionë tonëve dinamit, rreth 500 herë më e fuqishme se bomba atomike e Hiroshimës. Megjithatë, NASA dhe agjenci të tjera hapësinore janë duke monitoruar trajektoren e asteroidit dhe po punojnë për masa të mundshme mbrojtëse.

Në vitin 2022, NASA testoi me sukses teknologjinë për devijimin e një asteroidi përmes misionit DART, ndërsa një tjetër eksperiment do të kryhet nga Kina në vitin 2027. Ndërkohë, NASA planifikon që në mars 2025 të përdorë Teleskopin Hapësinor James Webb për të analizuar më mirë orbitën dhe përbërjen e “2024 YR4”.

Shkencëtarët theksojnë se ndërsa merren më shumë të dhëna, probabiliteti i përplasjes mund të ndryshojë. Në shumë raste të mëparshme, objekte të listuara si kërcënime janë përjashtuar nga rreziku pas analizave të mëtejshme. Megjithatë, për momentin, ky asteroid mbetet një nga kërcënimet më serioze hapësinore në dy dekadat e fundit.