Në Elbasan nuk është shënuar asnjë vrasje gjatë vitit 2024, një rezultat që sipas Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda, nuk ishte arritur që nga viti 1989. Ky lajm u bë i ditur gjatë analizës vjetore të punës së policisë në drejtoritë vendore të Elbasanit dhe Korçës.
Gjatë fjalës së tij, Proda vlerësoi punën parandaluese dhe hetimore të strukturave policore, të cilat kontribuan në garantimin e rendit dhe sigurisë, si dhe në parandalimin e ngjarjeve kriminale në qarkun Elbasan.
“Punonjësit e policisë duhet të zbatojnë me rigorozitet ligjin dhe detyrimet që burojnë prej tij. Cilido që nuk përmbush këto detyrime, do të largohet pa hezitim nga radhët e Policisë së Shtetit,” deklaroi Proda, duke theksuar se gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e 11 majit, strukturat policore duhet të jenë të baraslarguara nga subjektet politike dhe të garantojnë një proces të sigurt.
Në analizën e punës për qarkun Korçë, Proda përgëzoi policinë për zbardhjen e dy vrasjeve gjatë vitit 2024 dhe për menaxhimin e suksesshëm të fluksit në pikat kufitare të Kapshticës dhe Qafë Thanës. Ai gjithashtu kërkoi përmirësime në drejtim të policimit në komunitet dhe kontrollit të shtetasve me precedentë penalë, me qëllim parandalimin e ngjarjeve kriminale.
Prokurorët e Elbasanit dhe Korçës, të pranishëm në analizat vjetore, vlerësuan bashkëpunimin e ngushtë me strukturat policore dhe premtuan mbështetje për çeljen e hetimeve proaktive, me synimin për të parandaluar çdo paligjshmëri që cenon jetën dhe pronën e qytetarëve.
Drejtori Proda përfundoi duke falënderuar agjencitë ligjzbatuese për bashkëpunimin dhe vlerësoi modelin e Elbasanit si një shembull për t’u ndjekur edhe nga drejtoritë e tjera vendore të policisë.