“Asnjë qindarkë nga PD dhe s’jam palë” – Berisha mohon lobimin për heqjen e non-gratës: Paratë i mblodhi një fondacion në SHBA
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka mohuar kategorikisht që kontrata lobuese e PD-së në SHBA të ketë për qëllim heqjen e “non-gratës” ndaj tij.
Gjatë një konference për shtyp, Berisha sqaroi se PD nuk është palë kontraktuese dhe nuk ka kontribuar financiarisht, pasi fondet janë mbledhur nga një fondacion shqiptarësh në SHBA që mbështesin kauzat e PD-së. Ai shtoi se kjo kontratë është ndryshe nga ajo me Chris LaCivita, ku PD kishte rol të drejtpërdrejtë si palë.
Berisha: Kontrata është publikuar plotësisht. Është për qëllimet kauzat e drejta të PD-së. Në tërësi për marrëdhëniet e PD, Shqipërisë dhe SHBA. Kjo kontratë është për çdo shqiptar. McGonigal do e marrë Edi Ramën me vete. Kontrata nuk ka asnjë urdhër për të mos u thënë shqiptarëve të vërtetën e kontratës.
E vërteta e kontratës që i ka djegur kaq shumë Edi Ramës, altoparlantëve të tij, u ka djegur kaq shumë zyrtarëve të krimit. Do doja që këto tu përsëriteshin. Përpjekja për të zënë hapësirën mediatike të programit për qytetarët. Unë kam 4 muaj që dal me program. Rama nuk ka program, del me përpjekje për të mbytur hapësirën mediatike me banalitete.
Zoti Noka pranon shërbime, por nuk jemi palë kontraktuese. Me LaCivita jemi palë kontraktuese. Në rastin tjetër palë kontraktuese është fondacioni. Ne kemi pranuar shërbimin. PD nuk ka dhënë asnjë qindarkë. Është një fondacion që jep para. Edhe sikur PD ti japë nga arka e vetë, për kauzën ja vlen çdo qindarkë.