Asnjë pasagjer i mbijetuar? Shefi i policisë: Kanë vdekur edhe banorë vendas nga rrëzimi i avionit në Indi

Shefi i policisë së Ahmedabadit, GS Malik, ka dhënë detaje të reja lidhur me rrëzimin tragjik të avionit Air India pranë aeroportit të qytetit. Ai deklaroi se nuk duket të ketë mbijetuar asnjë nga pasagjerët e avionit, ndërsa shtoi se për shkak se përplasja ndodhi në një zonë banimi, “disa banorë vendas gjithashtu kanë humbur jetën”.

“Po bëhen përpjekje për të përcaktuar shifrat e sakta të viktimave,” tha ai për agjencinë AP.

Ndërkohë, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Indisë, Randhir Jaiswal, në një konferencë për shtyp, e quajti aksidentin “një tragjedi shumë të rëndë”. Ai bëri me dije se operacionet e shpëtimit vijojnë dhe se do të duhen ende disa kohë për të dhënë detaje të sakta mbi bilancin e viktimave.

“Ne kemi humbur shumë njerëz. I shprehim ngushëllimet më të thella familjeve të viktimave,” u shpreh Jaiswal.