“Asnjë investitor nuk do të gëzojë asnjë centimetër tokë në Theth” – Banorët kundërshtojnë prishjet, rikthejnë Kuvendin e Burrave
Mes tensioneve pas prishjes së ndërtimeve pa leje nga IKMT, banorët autoktonë të Thethit janë mbledhur këtë të diel në një “Kuvend Burrash”, një nga format më të vjetra të vetëqeverisjes që ruhet në Malësitë e Veriut, për të kundërshtuar aksionin shtetëror dhe për të shprehur pakënaqësinë e tyre ndaj zhvillimeve të fundit në zonën e mbrojtur.
Mbledhja u zhvillua në oborrin e Kishës së Thethit, në prani edhe të meshtarit të zonës, Dom Kastriot Demaj. Pleqtë dhe burrat e fisit të Shalës, në frymën e Kanunit të Lekë Dukagjinit, diskutuan rreth situatës së krijuar dhe kërkuan ndalimin e menjëhershëm të prishjeve, duke theksuar se çdo veprim që cënon jetën, pasurinë dhe të drejtën zakonore të banorëve, duhet të ndalet menjëherë.
Në përfundim të kuvendit, burrat deklaruan njëzëri:
“Pa pëlqimin e komunitetit, asnjë investitor nuk do të gëzojë asnjë centimetër tokë në Theth.”
Banorët i bënë thirrje qeverisë për dialog të hapur dhe kërkuan që zhvillimet në këtë zonë të ndjeshme kulturore dhe turistike të bëhen në respekt të të drejtave të komunitetit vendas dhe të trashëgimisë së tyre shekullore.
Në kishë, ndërkohë, është mbajtur edhe mesha e së dielës, ku meshtari Dom Kastriot përcolli një mesazh paqeje dhe reflektimi për të gjitha palët, duke ftuar në mirëkuptim e bashkëpunim.