“Askush s’është Zot mbi jetën e tjetrit” – Famullitari i Shkodrës, Dom Vlash Palaj, për situatën në Theth: Nevojitet dialog

Famullitari i Shkodrës, Dom Vlash Palaj, ka reaguar për tensionet e krijuara në Theth për shkak të prishjes së ndërtimeve pa leje.

Sot, gjatë predikimit në meshën e shenjtë të së dielës, në katedralen e “Shën Shtjefnit”, nëpërmjet një mesazhi të fortë, ai u ka bërë thirrje palëve për dialog, duke theksuar se askush nuk duhet të sillet si Zot mbi jetën e të tjerëve.

“Një konflikt i madh atje në Theth, më vjen shumë keq për ato njerëzit e shkretë sepse i joshën, i rrejtën, i blenë, i shfrytëzuan, i vjelën për nga ana monetare, dhe në fund i hodhën, i tradhtuan, i dogjën, i shkatërruan, do t’i gjobisin e do t’i burgosin.Krishti thotë: Në qoftë se don me zgjidh problemin me vëllaun tand, me të afërmin tand, jena pjesë e nji kombi.

Shqipnia është një fshat i vogël me e krahasu me vendet e tjera. Merre përpara vëllaun tand, ulu me të, mos e kushtëzo dialogun tand në kohë. Kërko ta bindësh se cila është e mira dhe e vërteta. Por, mundet me të ndodh që s’ndigjon.

Atëherë, të lutem, mos e dëno, mos e gjyko as mos e paragjyko, sepse nuk je ti Zoti i jetës së tij. Thirri edhe 2-3 dëshmitarë, edhe në praninë e tyre, thuaji edhe njiherë. E në qoftë se edhe ato nuk i ndigjon, e prapë nuk ndigjon, prapë mos u dorëzo.

Ftoje krejt bashkësinë. Uluni të gjithë së bashku. Diskutoni sesi mund të zgjidhet problemi i këtij personi. Mund të ndodhin që as ato nuk i ndigjon. Atëherë, kur ke ba edhe tentativën e tretë, dhe i ke vu në dijeni të gjithë, atëherë kur nuk merr vesh, leçite – veçoje, thotë. Sepse nuk e don të mirën. Kurse, në atë realitet të atij fshati malor, ça vërejmë?

A thua se jena armiq të njeni-tjetrit.

Më besoni, të krishtenë të dashtun, dhe ju ftoj që të mendoni seriozisht në lidhje me këtë gja.
Për shkak se populli jonë vazhdon fatkeqësisht me kenë i mbushun prapë me armiqësi, me urrejtje, me nji varfni të theksume shpirtnore, atëherë nuk merr parasysh se atij tjetrit je duke ia shkatërru jetën, edhe pse ai tjetri ndoshta ka jetu e ka vepru në mënyrë të gabume.

Por, kurrë ti mos merr pretendimin se je Zoti i tjetrit.
Kërkoni të bindni njeni-tjetrin e të gjeni nji rrugëzgjidhje, e cila, është në të mirën e të gjithëve.

Nuk është ligji mbi çdo gja.
Ligji është mbi çdo gja, atëherë kur ne kena shkel mbi njerëzinë tonë dhe kena shkel atë prani Hyjnore, e cila, e ka stolis jetën njerëzore për me gjet rrugëzgjidhje ma paqësore dhe ma dialoguese mes vëlleznish. Duhet me dit gjithmonë me u marr vesh, sepse nuk zgjidhet raporti i vëllaznisë me gjykime e me dënime. Por, ato të cilët, janë skllevër të jetës, skllevër të sjelljeve të saj, ato s’marrin parasysh se tjetrit i shkatërrohet jeta.

Dashtë Zoti që të piqen edhe ato kushtet kulturore, historike, njerëzore e të lartësohemi disi në ndërgjegjen tonë.

Përndryshe, s’kena me pas kurrë paqe.
Ashtu siç shumë njerëz kanë humbur jetët e tyre, kena shumë, shumë kujtesë të keqe nga e shkumja, sepse janë vra për nji copë tokë, për nji vijë ujit, e sot tuj u vra për disa kabina dërrasash, të cilat, përbajnë e shprehin nji sakrificë të nji popullit, që historikisht ka vuajt e don me mujt me jetu e me pa vetvedin se është disi i sigurt në atë dinjitetin e jetës së tij. Por ja që, ka prapë shumë ligësi dhe nuk din me u marr vesh për të mirën.

Zoti ia shndrittë mendjen çdokujt e çdokush dittë me u naltësu në atë dinjitetin e të kenunit njerëz të shprehjes së njerëzisë, sepse jena të gjithë bij të të njëjtit Atë, që i bjen me kenë vëllezën e motra mes nesh.” U shpreh Dom Vlash Palaj, famullitari i Shkodres.