Asfiksim në magazinën e “Rossmann & Lala”, përfundojnë në spital 6 punonjëse

Gjashtë punonjëse të kompanisë “Rossmann & Lala” kanë përfunduar në spital pasi dyshohet se janë asfiksuar në ambientet e magazinës së paketimit, e cila ndodhet në autostradën Tiranë-Durrës.

Ngjarja ka ndodhur më 11 mars 2025, kur punonjëset kanë ndjerë një aromë të rëndë sapo kanë hapur derën e magazinës. Pas disa minutash, ato kanë shfaqur probleme respiratore dhe janë transportuar në një spital privat nga menaxheri i kompanisë.

Sipas dëshmive të tyre, e njëjta aromë është ndjerë edhe disa muaj më parë. Policia ka nisur hetimet për të verifikuar nëse magazina përmbush standardet e sigurisë në punë dhe nëse punonjëset janë ekspozuar ndaj gazrave apo kimikateve të rrezikshme.

Pas marrjes së asistencës mjekësore, gratë janë larguar në banesat e tyre, ndërsa Prokuroria po vlerëson rastin për të përcaktuar shkaqet dhe përgjegjësitë.