‘Asfalt, tendera elektoralë dhe thasë mielli’, PD denoncon në SPAK shkeljet në Korçë! Dyshime për tjetërsim vote

Kandidati i PD-së në qarkun e Korçës, Edmond Spaho ka denoncuar se në Maliq PS ka nisur shpërndarja e miellit në këmbim të votave.

Spaho ka publikuar fotot dhe ka bërë me dije se do të bëjë nesër një kallëzim në SPAK në lidhje me këtë rast.

“Filloi shpërndarja e miellit në Maliq në këmbim të votave. PS po shpërndan miell nga shtëpitë e Sonil Sulo Pine dhe Vjollca Qato. Shihni fotot e maskarenjve që shpërndajnë miell për vota dhe që pretendojnë të na fusin në Europë. Do ju bëj kallëzim penal në SPAK”, shkruan Spaho.

Një fakt që u konfirmua.

Partia Demokratike ka depozituar një kallëzim në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), ndaj kryetarit të Bashkisë Maliq, Gëzim Topçiu. Sipas Ivi Kasos nga PD, Topçiu është i përfshirë në aktivitete të jashtëligjshme me karakter zgjedhor dhe abuziv.

Në qendër të denoncimit janë tre akuza kryesore: asfalti elektoral, tenderat elektoralë dhe punësimet e përkohshme në funksion të fushatës zgjedhore. PD thekson se këto veprime përbëjnë një shkelje flagrante të ligjit dhe përdorim të burimeve publike për përfitime politike.

“Bëhet fjalë për një skemë të qartë të keqpërdorimit të fondeve publike në prag të zgjedhjeve për të ndikuar te votuesit dhe për të forcuar pozitat e mazhorancës në pushtet,” thuhet në reagimin e PD.

Partia Demokratike i ka kërkuar SPAK-ut që të nisë menjëherë hetimet dhe të vërë përpara drejtësisë të gjithë ata që kanë kontribuar në këtë sipas saj “skandal elektoral me përmasa të mëdha”.