Asambleja e PS, Rama: Shkodra nuk është më qytet i plehrave por për 4 muaj janë dhënë 20 milionë euro investime

Nga Asambleja e PS Kryeministri Edi Rama renditi ndryshimet e bëra në qytetin e Shkodrës pasi Benet Beci ka marrë drejtimin e bashkisë, ndërsa u ndal te projektet që kanë nisur të marrin jetë. Duke krahasuar Shkodrën me kohën kur drejtohej nga opozita, Rama tha se nuk është më qytet i plehrave por  për 4 muaj janë dhënë 20 milionë euro investime. Rama komentoi kaosin e Parlamentit duke thënë se janë veprime për shkak të drejtësisë.

Shkodra ka qenë ndalesa e radhës e Asamblesë së PS. Fjalën e tij kryeministri Edi Rama e ka nisur me ndryshimet që janë bërë në këtë qytet pasi Benet Beci ka marrë drejtimin e bashkisë. Së pari përmendi faktin që Shkodra nuk quhet më ‘qyteti i plehrave’, si premtimi i parë i bërë që është mbajtur.

“Në një kohë shumë të shkurtër ndjesia e energjisë së qytetit është krejt tjetër. Është e dukshme sapo hedh sytë në qytet që Shkodra nuk është më qyteti i plehrave dhe të paktën në ato pjesë që pashë që janë akset kryesore qyteti është realisht shumë i pastër dhe shpresoj që të jetë kështu edhe në lagje por ajo  që është e rëndësishme është që ky është një proces që ka nisur dhe në një kohë shumë të shkurtër ka filluar të jetë mjaft i dukshëm dhe kjo nuk është e lehtë aq më tepër kur kemi parasysh që institucione vendore në Shkodër kanë qenë përgjithësisht të fokusuara te punët e asaj partisë që sot është ndarë në shumë pjesë dhe te hallet private të njerëzve.

E dyta dhe kjo në një kohë të shkurtër, nga informacioni i vazhdueshëm që marr përderisa e ndjek në këtë periudhë Shkodrën me një përparësi të veçantë me jo shumë mund por përkushtim dhe me vëmendje është arritur që Shkodra të ketë një situatë krejt tjetër të ndriçimit publik. Ishte situatë e vështirë që kishte të bënte shumë më tepër me kujdesin dhe mirëmbajtjes sesa me ndonjë investim të posaçëm”, tha Rama mes të tjerash.

Në vetëm 4 muaj, për investimet në Shkodër, Rama tha se janë vënë në dispozicion 20 mln euro duke e shndërruar qytetin. Ai përmendi restaurimin e godinës së Bashkisë Shkodër, Muzeun e Kujtesës, transformimin e rrugës kryesore, Rrugën e Dukagjinit, projektin energjitik me shfrytëzimin e energjisë diellore.

E pikërisht Shkodra, tha kryeministri, është pasqyra më e qartë e diferencës me opozitën e sotme. Për kryeministrin shkodranët kanë filluar ta kuptojnë se qeverisja e PS-së, me kryetarin e Bashkisë, Benet Becin është një bekim për këtë qytet, ndërsa u ndal te projektet që sapo kanë nisur të “belbëzojnë” dhe të marrin formë për t’i kthyer identitetin e munguar këtij qyteti.

Ndonëse fokusi ishte te zhvillimi i mëtejshëm i Shkodrës, Rama shihjetoi opozitën, për të cilën tha se është e ndarë në copa dhe do vazhdojë të ndahet.  Zhgënjimi i Shodranëve me opozitën për Ramën është një arsye e fortë, përse i besuan pas 33 vjetësh bashkinë socialistëve.

Ndonëse nuk ishte në sallën e parlamentit, por kaosi shkaktuar brenda saj, e mori vëmendjen e Ramës, që nga asambleja e quajti humbje të kontrollit për shkak të hallit me drejtësinë.