Arritja historike e volejbollit të femrave të Pogradecit

Ekipi i volejbollit të femrave të Pogradecit ka shkruar një faqe të re në historinë e sportit në qytetin liqenor. Për herë të parë, ky ekip jo vetëm që renditet mes katër ekipeve më të mira të volejbollit shqiptar, por gjithashtu ka siguruar një vend në garën për titullin kampion, duke u përballur në gjysmëfinalet e plej off-it me Skënderbeun.

Në ndeshjen e dytë kundër Dinamos, Pogradeci tregoi shpirt gare dhe karakter të fortë.

Takimi filloi në favor të skuadrës dinamovite, e cila fitoi dy setet e para me rezultatin 25-14 dhe 25-22. Në këtë moment, shumë menduan se fitorja do të ishte në duart e Dinamos, por pogradecaret nuk u dorëzuan.

Nën drejtimin e trajnerit Besnik Lisha, vajzat e Pogradecit ngritën ritmin e lojës dhe bënë një kthesë të jashtëzakonshme. Ato fituan setin e tretë me rezultatin 19-25, duke rikthyer shpresat për një përmbysje. Në setin e katërt, atmosfera në fushë u tensionua, por me një lojë të saktë dhe motivim të lartë, Pogradeci triumfoi 23-25.

Vendimtare ishte paraqitja në setin e pestë dhe përfundimtar, ku pogradecaret treguan superioritet duke fituar me rezultatin 4-15, duke vulosur fitoren 2-3 në ndeshje dhe duke kaluar kështu në gjysmëfinalet e play off.

Historike për qytetin dhe volejbollin shqiptar Kjo arritje është një sukses i madh për volejbollin e femrave në Pogradec, duke shënuar një etapë të re për ekipin dhe komunitetin sportiv të qytetit. Përballja me Skënderbeun në gjysmëfinale paraqet një sfidë të madhe, por motivimi dhe forca e ekipit kanë treguar se gjithçka është e mundur.

Tifozët pogradecarë janë tashmë në pritje të vazhdimit të kësaj aventure historike, duke shpresuar që skuadra të vazhdojë të shkëlqejë dhe të ngrejë lart emrin e qytetit në kampionatin kombëtar të volejbollit për femra.