Arrestohet shqiptari në Itali, policia i gjen 27 kg drogë të mbështjellë me foton e Al Pacinos
Një 29-vjeçar shqiptar ka rënë në prangat e autoriteteve italiane, pas një operacioni të policisë në qytetin Vigevano, në veri të Italisë, ku u zbuluan sasi të konsiderueshme lëndësh narkotike në banesën e tij.
Sipas mediave italiane, policia gjeti dhe sekuestruan 27 kilogramë drogë, përfshirë 22 kilogramë hashash të ndarë në 122 pako, si dhe 5 kilogramë kokainë të paketuar në blloqe të mbështjella me një imazh të aktorit të famshëm Al Pacino, duke i bërë referencë filmit legjendar Scarface.
Në banesën e shqiptarit u sekuestruan gjithashtu 7 mijë euro cash, të cilat dyshohet se janë të ardhura nga veprimtaria kriminale e trafikut të drogës. Policia italiane e cilësoi këtë një goditje të rëndësishme ndaj shpërndarjes së drogës në zonën e Pavias.