Arrestohet pronari i karburantit në Tiranë, akuzohet për shitje hidrokarburesh pa kuponë

Një 47-vjeçar, pronar i një karburanti në zonën e Paskuqanit, Tiranë, është arrestuar nga policia pasi akuzohet se shiste lëndë hidrokarbure pa kuponë tatimor dhe pa dokumentacion përkatës.

Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare në bashkëpunim me Drejtorinë e Hetimit Doganor, në kuadër të aksionit të koduar “Informaliteti”. Sipas uniformave blu, gjatë kontrolleve në karburantin e ndodhur në rrugën “Hasan Zylfia”, rezultoi se lëndët hidrokarbure që shiteshin aty nuk ishin të pajisura me fatura blerjeje dhe dyshohet se ishin të kontrabanduara.

Policia ka bllokuar aktivitetin e subjektit deri në përfundimin e hetimeve, ndërsa materialet procedurale i kanë kaluar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.