Arrestohet një shqiptar në Itali, kapen 90 kg drogë dhe 20 mijë euro cash

Policia italiane ka arrestuar në Milano një 39-vjeçar shqiptar dhe një 35-vjeçar rumun, të akuzuar për shpërndarje dhe shitje të lëndëve narkotike.

Sipas mediave italiane, dy të arrestuarit kishin fshehur 90 kg marijuanë në një kamion që përdornin për transport. Gjatë kontrollit, policia zbuloi drogën të paketuar nën dyshemenë e rimorkios.

Përveç sasisë së madhe të lëndës narkotike, autoritetet sekuestruan edhe mbi 20 mijë euro cash, të dyshuara si të ardhura nga aktiviteti i paligjshëm. Dy të dyshuarit ndodhen tashmë në pranga, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrjetit të trafikut të drogës.