Arrestohet një person për blerje votash në Kukës, shpallet në kërkim kryeplaku i fshatit Lusen

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka regjistruar procedimin penal nr. 83/2025 për veprën penale të “Korrupsionit aktiv në zgjedhje”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 328 dhe 25 të Kodit Penal.

Hetimi u nis mbi bazën e materialit referues të Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës, e cila ka siguruar prova se një grup personash kanë premtuar dhe ofruar shuma monetare disa votuesve në qarkun Kukës, duke i kërkuar të votojnë për një subjekt të caktuar politik në zgjedhjet e 11 majit 2025.

Më 10 maj, rreth orës 22:00, gjatë një operacioni të përbashkët të SPAK dhe Policisë së Kukësit, u arrestua në flagrancë shtetasi K.P., të cilit iu sekuestruan 205,500 lekë të reja, 525 euro, një telefon celular (iPhone) dhe një automjet tip Mercedes-Benz.

Në kërkim është shpallur shtetasi G.P., kryeplak i fshatit Lusen, i cili dyshohet se ka bashkëpunuar me K.P. për të shpërndarë para në këmbim të votave në njësinë administrative Ujmisht, përfshirë fshatrat Lusen, Matranxhë dhe Bushtricë, për të favorizuar Partinë Socialdemokrate (PSD) në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025.

Prokuroria e Posaçme ka njoftuar se po vijon hetimet për të identifikuar dhe vënë para përgjegjësisë të gjithë personat e përfshirë në këtë veprimtari të paligjshme.