Arrestohet një 24-vjeçar në Shkozë, i kapur me 10 kilogramë kanabis

Një 24-vjeçar ka përfunduar në prangat e Policisë së Tiranës gjatë një operacioni kundër trafikimit të lëndëve narkotike. Shtetasi K.K., banues në Tiranë, u ndalua në mbikalimin e Shkozës, ku pas kontrollit të automjetit tip Ford që ai drejtonte, u gjetën dhe u sekuestruan 10 kilogramë lëndë narkotike të dyshuar kanabis sativa.

Sipas deklaratës së drejtorit të Policisë Tiranë, Elton Alushi, 24-vjeçari po transportonte drogën me qëllim shitjen. Ai u arrestua në flagrancë dhe ndaj tij rëndon akuza për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

“Gjatë dy javëve të para të këtij viti, Policia ka zhvilluar një sërë operacionesh për të parandaluar dhe goditur veprimtarinë e paligjshme në fushën e narkotikëve, armëmbajtjes pa leje, lojërave të fatit dhe vjedhjes së pasurisë,” tha Alushi gjatë një deklarate për mediat.

Policia po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të këtij rasti dhe përfshirjen e mundshme të personave të tjerë në këtë aktivitet të paligjshëm.