Arrestohet në Tiranë “bosi” turk i një rrjeti të trafikut të drogës, futi 703 kg heroinë në Gjermani në bashkëpunim me serbë e iranianë

Një shtetas turk me banim në Holandë u ndalua në Tiranë me akuzën se drejtonte një rrjet ndërkombëtar droge në kuadër të një hetimi të kryer nga prokurorët gjermanë, raporton Deutsche Welle.

57-vjeçari, emri i të cilit nuk bëhet i ditur, u ndalua nga policia kufitare shqiptare në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës më 23 nëntor. Ai akuzohet se drejtonte një bandë ndërkombëtare që kontrabandonte tonelata heroinë nga Irani në vendet e Evropës Perëndimore nëpërmjet Emirateve të Bashkuara Arabe.

Autoritetet shqiptare ende nuk kanë vendosur nëse i dyshuari, për të cilin është lëshuar një urdhër-arresti si pjesë e hetimeve të kryera nga Prokuroria Publike e Dresdenit, do të ekstradohet në Gjermani.

Pas ndalimit të tij në Shqipëri, policia holandeze bastisi shtëpinë dhe vendin e tij të punës në Roterdam.