Një 44-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar është arrestuar në Shqipëri me qëllim ekstradimin drejt Italisë, ku është dënuar me 5 vjet, 6 muaj e 17 ditë burgim për përfshirje në një organizatë kriminale dhe trafik droge.
Policia njofton se në pranga ka rënë Ilir Zotaj, i njohur edhe me emrin Zio Bushi, i cili ishte pjesë e një grupi kriminal të përbërë nga shqiptarë, që trafikonte lëndë narkotike nga Belgjika në Itali.
Gjatë hetimeve për periudhën dhjetor 2008 – mars 2010, autoritetet kanë sekuestruar 10.4 kg kokainë të trafikuar nga kjo organizatë në disa qytete të Italisë, në Belgjikë dhe në Shqipëri.
Operacioni për kapjen e tij, i koduar “Operacionalja 28”, u zhvillua nga Forca e Posaçme Operacionale në Tiranë, në bashkëpunim me Interpol Tirana.
Tashmë pritet përfundimi i procedurave për ekstradimin e tij drejt Italisë.