Arrestohet në Pogradec 43-vjeçari i kërkuar nga Italia për trafik droge dhe organizatë kriminale

Një 43-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane është arrestuar nga policia shqiptare në Pogradec. Ergys Likaj, banues në Durrës, u kap si pjesë e operacionit policor të koduar “Operacionalja 27”.

Gjykata e Romës kishte lëshuar ndaj tij një urdhër arresti në vitin 2016, duke e akuzuar për përfshirje në një organizatë kriminale dhe trafik narkotikësh. Pas ndalimit nga forcat e posaçme të policisë (Fast Albania), Interpol Tirana po bashkëpunon me homologët italianë për finalizimin e procedurës së ekstradimit në Itali.

Policia e Shtetit ka intensifikuar operacionet për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar, duke theksuar bashkëpunimin e ngushtë me autoritetet e huaja në luftën kundër krimit të organizuar.