Arrestohet në Itali i riu që tentoi të kryente një vrasje në Velipojë, pritet ekstradimi në Shqipëri

Një 26-vjeçar shqiptar është arrestuar në Itali pas një bashkëpunimi mes autoriteteve italiane dhe Interpolit shqiptar, si pjesë e një operacioni të përbashkët për kapjen e personave në kërkim ndërkombëtar. I riu, i identifikuar si K. L., ishte në kërkim prej një viti, pasi dyshohet se në fshatin Malikolaj të Velipojës kishte tentuar të vriste me armë zjarri një 27-vjeçar, për motive të dobëta.

Ngjarja ndodhi në vitin 2024 dhe që prej asaj kohe, K. L. ishte larguar nga Shqipëria, duke shmangur ndjekjen penale. Ndaj tij, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër kishte lëshuar një urdhër arresti, duke e shpallur në kërkim ndërkombëtar për “vrasje me dashje”, mbetur në tentativë, si dhe “mbajtje pa leje të armëve”.

Përmes koordinimit të Interpol Tiranës dhe Interpol Romës, u bë e mundur lokalizimi dhe më pas arrestimi i tij në një qytet italian. Aktualisht, autoritetet janë në proces për ekstradimin e të riut drejt Shqipërisë.