Arrestohet në Britani Edison Muceku! Ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për grup të strukturuar kriminal
Policia e Shtetit ka njoftuar arrestimin e shtetasit Edison Muceku, 34 vjeç, në Britaninë e Madhe, pas një bashkëpunimi intensiv me autoritetet britanike dhe Interpol Tirana.
Operacioni policor “Another”, i organizuar nga autoritetet britanike dhe finalizuar pas shkëmbimit të informacionit me Policinë e Shtetit, çoi në lokalizimin, kapjen dhe arrestimin e tij me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë.
Edison Muceku ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për veprat penale:
•Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje, në formë të veçantë dhe në bashkëpunim;
•Grup i strukturuar kriminal;
•Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.
Vendimi për masën e sigurisë “Arrest në burg” ndaj tij është dhënë nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Aktualisht, Interpol Tirana dhe Interpol Manchester po punojnë për përfundimin e procedurave të ekstradimit të tij në Shqipëri, ku do të përballet me drejtësinë për akuzat e ngritura ndaj tij.