Arrestohet në Berat një 58-vjeçar i shpallur në kërkim nga autoritetet italiane, i dënuar me 7 vite burg për trafik droge

Forcat Operacionale të Policisë së Shtetit kanë arrestuar në Berat Fatmir Isollarin, i njohur ndryshe si Fatmir Cenka, 58 vjeç, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane. Arrestimi është realizuar në kuadër të operacionit policor të koduar “Operacionalja 23”.

Isollari është dënuar nga Gjykata e Apelit e Firences me 7 vite burg për pjesëmarrje në një organizatë kriminale që trafikonte lëndë narkotike. Sipas autoriteteve, gjatë viteve 2002-2003, kjo organizatë kriminale trafikoi 20 kg kokainë nga Shqipëria drejt Firences.

Policia shqiptare, në bashkëpunim me homologët italianë dhe Interpolin, ka lokalizuar dhe arrestuar Isollarin në qytetin e Beratit. Interpol Tirana po bashkëpunon me Interpol Romën për finalizimin e procedurave të ekstradimit të tij drejt Italisë.

Ky operacion përforcon angazhimin e autoriteteve shqiptare për luftën kundër krimit të organizuar dhe bashkëpunimin ndërkombëtar në këtë drejtim.