Arrestohet “Luleshtrydhja” – Bosi më i kërkuar i mafias bie në pranga në Turqi
Policia turke ka vënë në pranga një nga figurat më të rrezikshme të botës së krimit në Suedi, 35-vjeçarin Ismail Abdo, i njohur me pseudonimin “Strawberry” (Luleshtrydhja), pas një operacioni të përbashkët me autoritetet suedeze. Abdo, një shtetas me kombësi të dyfishtë turko-suedeze, akuzohet për trafik ndërkombëtar droge dhe nxitje të dhunës mafioze.
Sipas raportimeve zyrtare, në të njëjtin operacion janë arrestuar edhe 19 persona të tjerë dhe janë sekuestruar pasuri me vlerë rreth 33 milionë euro. Policia suedeze ka konfirmuar arrestimin e tij dhe ka theksuar se ishte rezultat i një hetimi të përbashkët mes dy vendeve.
“Arrestimi është rezultat i përpjekjeve të synuara nga autoritetet suedeze dhe turke. Policia suedeze ndihmoi në hetimin që çoi në arrestimin e tij,” – deklaroi Mats Berggren, zëvendësdrejtor i Shërbimit Kombëtar të Operacioneve të Suedisë.
Ismail Abdo, i cili ka lindur dhe është rritur në Suedi, është i dyshuar si një nga organizatorët e krimeve më të rënda të bandave që kanë tronditur vendin nordik vitet e fundit. Vetëm që prej vitit 2023, në Suedi janë vrarë mbi 12 persona si pasojë e përplasjeve të armatosura mes grupeve rivale, përfshirë edhe nënën e vetë Abdos, që dyshohet se ishte viktimë e një hakmarrjeje mafioze.
Arrestimi i fundit nuk është hera e parë që autoritetet turke e ndalojnë atë. Në maj të vitit 2024, Abdo ishte arrestuar për herë të parë në Turqi, por ishte liruar me një garanci prej vetëm 530 eurosh, pavarësisht se ndaj tij kishte një “kodi i kuq” nga Interpoli. Kjo lëvizje pati shkaktuar zemërim të madh në Suedi, duke ngritur pikëpyetje për trajtimin e personave të rrezikshëm nga drejtësia ndërkombëtare.