Arrestohet 63-vjeçari për blerje votash, shpërndau para në favor të një kandidateje për deputete

Policia ka arrestuar një 63-vjeçar nga fshati Portëz, pas hetimeve njëmujore të SPAK, për shpërndarje parash me qëllim blerjen e votave në favor të një partie politike.

Shtetasi P. B. akuzohet për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, pasi dyshohet se iu ka dhënë shuma parash shtetasve të ndryshëm për të mbështetur një kandidate për deputete.

Njoftimi i policisë:

Drejtoria Vendore e Policisë Fier

-Si rezultat i një hetimi njëmujor, në drejtimin e SPAK, dokumentohet një rast i blerjes së votave.

Vihet në pranga autori.

Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare ekzekutuan urdhrin e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për ndalimin e shtetasit P. B., 63 vjeç, banues në fshatin Portëz, për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”.

Nga hetimet dyshohet se gjatë një muaji, ai iu ka dhënë shuma parash, shtetasve të ndryshëm, me qëllim blerjen e votave në favor të kandidates së një subjekti politik.

Materialet procedurale iu referuan SPAK, për veprime të mëtejshme.