Arrestohet 60-vjeçari që dogji makinën e fqinjit – kamerat zbulojnë momentin kur hedh lëndën djegëse dhe largohet

Një 60-vjeçar është vënë në pranga nga Policia e Tiranës, pasi u identifikua si autor i djegies së qëllimshme të automjetit të fqinjit të tij. Ngjarja ndodhi më datë 6 korrik 2025 në rrugën “Demir Zyko”.

Pamjet filmike nga kamerat e sigurisë zbuluan momentin kur shtetasi S. Gj. hedh lëndë djegëse mbi automjetin e shtetasit R. M., duke e përfshirë atë në flakë, e më pas largohet me shpejtësi nga vendngjarja.

Sipas Policisë, shkak i zjarrvënies dyshohet të jenë motive të dobëta dhe konflikte personale mes dy fqinjëve.

Njoftimi i Policisë

Komisariati i Policisë Nr. 4 në Tiranë ka finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Blaze”, duke bërë të mundur zbardhjen e një rasti të djegies së qëllimshme të një automjeti.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, pas marrjes së informacionit për një ngjarje të ndodhur në rrugën “Demir Zyko”, ku ishte djegur një automjet, shërbimet policore organizuan një hetim të shpejtë me qëllim zbardhjen e plotë të rrethanave dhe identifikimin e autorit.

Falë pamjeve filmike dhe provave të grumbulluara, u bë i mundur identifikimi, kapja dhe arrestimi i shtetasit S. Gj., 60 vjeç, banues në të njëjtën lagje.

Hetimet paraprake treguan se më datë 6 korrik 2025, ky shtetas, për motive të dobëta, ka djegur me lëndë djegëse automjetin e fqinjit të tij, shtetasit R. M., duke i shkaktuar dëme materiale.

Policia thekson se materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme ligjore ndaj të arrestuarit.

Operacioni “Blaze” vjen si pjesë e angazhimit të Policisë së Tiranës për parandalimin dhe zbardhjen e veprave penale që cenojnë rendin dhe pronën.