Arrestohet 38-vjeçari shqiptar në Itali, iu gjetën mbi 2 kilogramë kokainë në garazh

Një 38-vjeçar shqiptar është arrestuar në flagrancë nga Karabinierët e Njësisë Operacionale dhe Radiomobile të Seregno-s në Itali, pasi iu gjetën mbi 2.2 kilogramë kokainë dhe 750 gramë marijuanë në garazhin e banesës së tij.

Arrestimi u krye gjatë një operacioni për parandalimin e krimeve të lidhura me drogën, kur forcat e rendit vunë re shqiptarin që po endej në këmbë pranë një kopshti publik në Via Vitale. Qëndrimi i tij i dyshimtë bëri që Karabinierët ta ndalonin dhe ta kontrollonin, duke çuar më pas në një kontroll të imtësishëm të banesës së tij.

Gjatë kontrollit në garazh, autoritetet gjetën dhe sekuestruan sasinë e madhe të drogës, e ndarë në pako gati për shitje, si dhe pajisje për paketimin e dozave. I arrestuari rezultoi me precedentë penalë të mëparshëm dhe u dërgua para gjykatës, e cila vendosi ndaj tij masën e sigurisë “arrest me burg” pa afat.