Arrestohet 19-vjeçari që qarkullonte me pistoletë me silenciator, tentoi të ikte me vrap gjatë ndjekjes policore
Policia ka finalizuar operacionin “Nightfall”, ku është arrestuar 19-vjeçari Panajot Kola, i cili po qarkullonte me armë zjarri pistoletë me silenciator në automjetin e tij. Operacioni u zhvillua në aksin rrugor “Orikum-Vlorë” në Radhimë, ku automjeti tip “Mercedes Benz” u ndalua për kontroll. Në momentin e ndërhyrjes së Policisë, Kola, pasagjeri i automjetit, hodhi një çantë dhe tentoi të largohej me vrap, por u kap menjëherë nga shërbimet e Policisë.
Në çantën marsup, policia gjeti një armë zjarri pistoletë me silenciator, e cila u sekuestrua si provë materiale. Po ashtu, është arrestuar edhe drejtuesi i automjetit, B. K., për moskallëzim krimi.
19-vjeçari Kola është akuzuar për “Mbajtjen pa leje dhe prodhimin e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, ndërsa B. K. për “Moskallëzim krimi”. Hetimet vazhdojnë nën drejtimin e Prokurorisë për veprime të mëtejshme.