Arrestohen tre kryebashkiakë të opozitës turke nën akuza për korrupsion! CHP: Hetime të motivuara politikisht
Autoritetet turke kanë arrestuar tre kryebashkiakë të Partisë Popullore Republikane (CHP), partia kryesore e opozitës në vend, nën akuzat për korrupsion dhe shpërdorim detyre. Lajmi ka ngritur shqetësime të forta për një valë të re presioni ndaj opozitës, sidomos pas rezultateve të mira të CHP-së në zgjedhjet lokale të fundit.
Të arrestuarit janë kryebashkiaku i Adanës, Zeydan Karalar, kryebashkiaku i Adiyamanit, Abdurrahman Tutdere, dhe kryebashkiaku i Antalias, Muhittin Böcek. Dy të parët janë ndaluar në kuadër të hetimeve të hapura nga Prokuroria e Përgjithshme e Stambollit, ndërsa arrestimi i Böcek është kryer si pjesë e një hetimi të veçantë nga Prokuroria e Antalias.
Së bashku me tre zyrtarët e lartë vendorë, janë ndaluar edhe tetë persona të tjerë të cilët dyshohet se kanë qenë të përfshirë në skemat e korrupsionit të pretenduar.
Kjo valë arrestimesh vjen pas ndalimit më 19 mars të kryebashkiakut të Stambollit, Ekrem Imamoglu, figurë kyçe e opozitës dhe pretendent për zgjedhjet presidenciale të ardhshme në Turqi. Arrestimet janë interpretuar gjerësisht si përpjekje e pushtetit për të dobësuar ndikimin në rritje të opozitës në qeverisjen vendore.
Partia Popullore Republikane ka reaguar menjëherë, duke mohuar çdo përfshirje të kryebashkiakëve në korrupsion dhe duke i cilësuar hetimet si të orkestruara për qëllime politike.
“Këto arrestime janë pjesë e një fushate të mirorganizuar politike për të intimiduar dhe dobësuar drejtuesit lokalë të dalë nga vota e lirë e qytetarëve. Do t’i mbrojmë deri në fund përballë padrejtësisë,” deklaroi zëdhënësi i CHP-së në një dalje publike.