Arrestohen dy të rinj në Tiranë, trafikonin kanabis nga SHBA përmes postës
Policia e Tiranës ka arrestuar dy të rinj që dyshohet se trafikonin lëndë narkotike nga SHBA në Shqipëri përmes postës, me qëllim shitjen. Në pranga kanë rënë Kevin Qorpasha, 24 vjeç, dhe Dion Hoxha, 22 vjeç, të dy banues në Tiranë.
Operacioni, i koduar “Pako 5”, u realizua nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale, Komisariatin e Policisë Rinas dhe Qendrën Tranzite të Postës Shqiptare, nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës.
Të rinjtë u kapën në flagrancë në një degë postare në Vorë, sapo morën një pako që përmbante 1 kg e 52 g kanabis me përqindje të lartë THC, të trafikuar nga SHBA.
Policia ka sekuestruar pakon dhe materialet procedurale janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme. Hetimet po vazhdojnë për të identifikuar persona të tjerë të përfshirë në këtë rrjet të mundshëm trafiku ndërkombëtar të drogës.