Arrestohen dy shpërndarës kanabisi, njëri me “arrest shtëpie”, tjetri nën hetim për mashtrim kompjuterik
Dy persona janë arrestuar në Korçë, pas një operacioni të koduar “Porta”, që synonte goditjen e shpërndarjes së lëndëve narkotike në qytet. Policia ka vënë në pranga një 35-vjeçar, që përgatiste doza kanabisi në banesën e tij ndërsa ndodhej në masën “arrest në shtëpi”, dhe një 31-vjeçar që i merrte dhe i shpërndante në qytet.
I arrestuari, Andrea Barmashi 35 vjeç, banues në Korçë, po vijonte aktivitetin kriminal brenda shtëpisë së tij, pavarësisht se ndodhej në arrest shtëpie për të njëjtën vepër penale: “prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Bashkëpunëtori i tij, Taulant Gjatoloo 31 vjeç, banues në fshatin Bulgarec, ishte i njohur për autoritetet, pasi ndaj tij ishte vendosur masa “detyrim paraqitjeje” për një tjetër vepër penale – “mashtrim kompjuterik”. Ai u kap në flagrancë në lagjen nr. 18 të Korçës me disa doza kanabisi, që sapo i kishte marrë nga 35-vjeçari, për t’i shpërndarë në qytet.
Gjatë kontrollit, policia gjeti dhe sekuestroi sasi të konsiderueshme të kanabisit të ndarë në doza, si në banesën e Andreas ashtu edhe gjatë kontrollit fizik ndaj Taulantit.
Njoftimi i Policisë
Korçë
Finalizohet operacioni i koduar “Porta”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të shitjes së lëndëve narkotike, në doza.
Vihen në pranga një 35-vjeçar dhe një 31-vjeçar, bashkëpunëtorë për shitjen e dozave të kanabisit në qytetin e Korçës.
35-vjeçari, ndërkohë që ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, përgatiste dozat e kanabisit, ndërsa 31-vjeçari i merrte dhe i shiste në qytet.
Sekuestrohen doza kanabisi që u gjetën në banesën e 35-vjeçarit dhe gjatë kontrollit fizik ndaj 31-vjeçarit.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Korçë, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, si rezultat i veprimeve hetimore të kryera pas informacioneve të siguruara nga inteligjenca informative, goditën një rast të shitjes së lëndëve narkotike, në doza. Në vijim të veprimeve për këtë rast, në kuadër të operacionit të koduar “Porta”, u arrestuan në flagrancë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, shtetasit:
A. B., 35 vjeç, banues në Korçë, aktualisht me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”;
T. Gj., 31 vjeç, banues në fshatin Bulgarec, aktualisht me masë “Detyrim paraqitjeje”, për veprën penale “Mashtrimi kompjuterik”.
Shtetasi T. Gj. u kap në flagrancë, në lagjen nr. 18., Korçë, me doza të lëndës së dyshuar narkotike kanabis, të cilat sapo ia kishte marrë shtetasit A. B., me qëllim shitjen në qytet.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.