Një 32-vjeçar shqiptar dhe një italian 50-vjeçar janë arrestuar nga policia italiane në zonën e Empolit, pasi u kapën me 30 kilogramë kokainë, e cila ka një vlerë të lartë në treg.
Dy bashkëpunëtorët u vunë në pranga pranë një kantieri, ku u pikasën nga forcat e policisë teksa po shkëmbenin pakot e drogës. Sipas raportimeve, shqiptari mbërriti me një makinë dhe pasi qëndroi për pak kohë brenda një pallati, nxori nga bagazhi një nga pakot me drogë dhe ia dorëzoi italianit.
Në atë moment, policia ndërhyri dhe gjatë kontrollit në automjetet e tyre gjeti 28 pako me kokainë. Lënda narkotike ishte fshehur në një dhomëz të sofistikuar në pjesën e bagazhit, e cila ishte e vendosur me magnet dhe kishte ndarje të fshehtë nën dyshemenë kryesore të makinës.
Gjatë operacionit, u sekuestrua gjithashtu një peshore elektronike precize dhe materiale që dyshohet se përdoreshin për paketimin e drogës.
Prokuroria e Firences ka urdhëruar arrestimin e tyre dhe po thellon hetimet për të zbuluar rrjetin e trafikut të drogës që dyshohet se qëndron pas këtij operacioni.