Arrestimi i personave me rrezikshmëri të lartë, ministri i Brendshëm nga Durrësi: Fillimi i një pune të madhe
Ministri i Brendshëm Taulant Balla takoi nga afër Forcat Operacionale të Policisë së Durrësit, për t’ju shprehur vlerësimet dhe mbështetjen për operacionet e fundit të kryera nga kjo njësi.
Ministri tha se dy operacionet e fundit dëshmojnë nivelin e lartë të profesionalizmit të kësaj force të posaçme. Ai kërkoi hartimin e planeve të detajuara nga Policia, për goditjen e elementëve kriminalë, që janë ende në kërkim.
“Operacionet e fundit kanë bërë të mundur vendosjen para drejtësisë së dy personave me rrezikshmëri të lartë. Kanë qenë dy operacione me cilësi të lartë pune nga ana e Forcës Operacionale të DVP Durrës dhe që secili prej jush meriton jo vetëm falënderime, por dhe respektin tim maksimal për këtë punë të mirë, e cila duhet të jetë thjeshtë dhe vetëm fillimi i një pune edhe më të madhe që na pret në ditët, javët dhe muajt në vijim. E vërteta është se edhe në Durrës, si dhe në Tiranë si dhe në disa drejtori vendore kemi një numër të madh personash që janë në kërkim. Prandaj na duhet që Drejtoria e Përgjithshme e PSH në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të bëjnë një plan të qartë masash për të garantuar që askush nuk mund t’i fshihet drejtësisë. Në Durrës kemi personazhe të rëndësishme të botës së krimit, të cilët duhet gjetur, arrestuar e vendosur para drejtësisë”, theksoi Balla.