Arrestimi i Noizy-t në Zvicër, menaxheri: Një ngatërresë administrative, jemi të habitur
Reperi i njohur shqiptar, Rigels Rajku, i njohur si Noizy, është arrestuar në aeroportin e Zyrihut, Zvicër, çka ka tronditur fansat dhe mediat. Megjithatë, menaxheri i tij ka dhënë një version tjetër për ngjarjen, duke mohuar përfshirjen e reperit në ndonjë çështje penale.
Në një prononcim për Revista Class, menaxheri i Noizy-t shpjegoi se arrestimi është rezultat i një ngatërrese administrative dhe nuk ka lidhje me hetime apo akuza. “Jemi të habitur dhe të zhgënjyer nga mënyra se si ndodhi kjo, duket të jetë një keqkuptim”, theksoi ai.
Sipas burimeve pranë artistit, Noizy nuk është i përfshirë në asnjë hetim aktiv dhe problemi do të zgjidhet së shpejti. Po ashtu, menaxheri dhe familja mohuan lajmet për një konflikt të mundshëm me një personazh të TikTok-ut, duke theksuar se reperi nuk ka asnjë mosmarrëveshje me askënd.
Arrestimi në Zvicër ka bërë që të anulohet edhe koncerti i planifikuar për më 5 korrik në Zyrih. Kujtojmë se Noizy u arrestua edhe në Shqipëri në gushtin e kaluar pas një sherri në një klub nate, ku më pas u dënua me gjobë prej 15,000 eurosh.