Arrestimi i Marklen Hakës/ Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha: Një ndër personazhet më kryesore të botës së krimit u kap në Nikël të Krujës
Marklen Haka, i shpallur në kërkim nga SPAK në kuadër të operacionit “Revanshi”, është arrestuar nga policia në zonën e Niklës të Krujës. Haka akuzohet për vrasje të mbetur në tentativë ndaj Durim Bamit, pjesëmarrës në grup kriminal dhe armëmbajtje pa leje.
Reagimi i ministrit të Brendshëm Ervin Hoxha në rrjetet sociale:
Në prangat e Policisë së Shtetit ka rënë pak minuta më parë i shumëkërkuari Marklen Haka alias Aliu, i dyshuar për pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe i përfshirë në disa ngjarje të rënda, pas një operacioni profesional të Forcave Speciale RENEA, mbi bazën e informacioneve të siguruara nga Policia e Tiranës.
Një ndër personazhet më kryesore të botës së krimit u kap në Nikël të Krujës, me armë zjarri, e bashkë me të po shoqërohen edhe disa persona të tjerë.
Përpjekja për t’ju shmangur përballjes me drejtësinë po merr e do të marrë çdo ditë e më shumë përgjigjen e duhur nga uniformat blu dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese.
Ky është momenti për të përgëzuar dhe shprehur respekt, për forcat e angazhuara në operacionin me shkallë të lartë rrezikshmërie.
Në vitin 2020, treshja i bënë atentat Bamit, i cili ndodhej brenda një automjeti tip “Range Rover” bashkë me kushëririn e tij, Ervin Kodra që mbeti i plagosur. Në përgjimet e zbardhura nga SPAK, vihet re dhe aleanca e Marklen Hakës me Ervis Martinajn që ishte i lidhur ngushtë me Arben Ndokën, por kishin dyshime të forta që Haka qëndronte pas vrasjes së vëllait të ish-deputetit, Aleksandër Ndoka. Haka i betohet Martinajt se nuk ka lidhje me vrasjen e Aleksandër Ndokës, ndërsa ish-bosi i lojërave të fatit që sot rezulton i zhdukur pa gjurmë, i kërkon që të bashkëpunojë dhe t’i tregojë emrat e personave që kanë marrë pjesë në vrasjen e Santiago Malkos. Në këmbim, Martinaj do t’i tregonte personat që i vranë hallën.
Ai u arrestua më 29 qershor të vitit 2011, i dyshuar nga Prokuroria e Tiranës si autori i vrasjes së biznesmenit Nadien Zenelit mbrëmjen e 13 qershorit të po atij viti, në një nga baret tek ish-Blloku në kryeqytet. I shoqëruar pas ngjarjes, i arrestuari Mariglen Haka ka mohuar vrasjen dhe ka pohuar se nuk ka qenë në Tiranë ditën e ngjarjes. Megjithatë, Haka u la i lirë pas disa muajsh, pasi nuk u arrit t’i faktohej vepra penale, për të cilën ishte arrestuar dhe Prokuroria nuk kishte prova të mjaftueshme për ta shpallur të fajshëm.