Arrestimi i Jorgo Goros, zbardhen detaje nga dosja, skema që përdori kryebashkiaku në detyrë i Himarës

Me urdhër të SPAK është arrestuar dje, kryetari në detyrë i bashkisë së Himarës, Jorgo Goro pasi akuzohet nga prokuroria e Posaçme se ka shpërdoruar detyrën duke tjetërsuar dy prona.

GJKKO ka caktuar masë arrest shtëpie edhe për tre zyrtarë të tjerë, për kreun e kadastrës, Bilbil Aliaj, juristin Vezir Gjikoka (ekzekutuar) dhe Jerasimo Bashi, (pa ekzekutuar) Drejtor i Drejtorisë së Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës, Bashkia Himarë. Si dhe ka caktuar masën arrest me burg dhe ka shpallur në kërkim Stavri Mëhillin, i cili ka përfituar në 5512 m2 tokë bujqësore në mënyrë të përdrejtë.

“Nga aktet e administruara rezulton se shtetasi Dhionisios Alfred Beleri, i biri i Petro dhe Kasiani, dtl. 09.08.1972, lindur dhe banues ne Himarë, i është drejtuar Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me kallëzim penal ndaj shtetasve Jorgo Goro, me detyrë Kryetar i Bashkisë Himarë, për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”, parashikuar nga neni 248 dhe 186/3 i Kodit Penal; Foto Pavllo Mëhilli (trashëgimtarët), banues në Dhërmi, për kryerjen e veprës të “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Pastrimi i produkteve te veprës penale”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 186 e 287 i Kodit Penal; Artan Gaçi, për kryerjen e veprës penale të “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Pastrimi i produkteve te veprës penale”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 186 e 287 i Kodit Penal; Olta Xhaçka, me detyrë Ministre e Punëve të Jashtme, deputete e Kuvendit, për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal. Kallëzuesi shpjegon se ka marrë dijeni që Bashkia Himarë, konkretisht Kryetari i Bashkisë Jorgo Goro, ka përcjellë për regjistrim në ish ZVRPP Vlorë, me shkresën nr. 731 prot. datë 18.03.2019, një “Akt të Marrjes së Tokës në Pronësi” (më poshtë AMTP) në emër të shtetasit Foto Pavllo Mëhilli, me nr. 9677 akti datë 07.02.1994, me vendndodhje në fshatin Gjilek – Bashkia Himarë.
Nga përmbajtja e akteve bashkëlidhur kësaj AMTP-je lëshuar në emër të shtetasit Foto Pavllo Mëhilli, rezulton të figurojë e ndarë një parcelë në vendin e quajtur “Perivolo”, me nr. ngastre 36/36/1, me sipërfaqe 5512 m2, e llojit “tokë truall”. Kallëzuesi pretendon se, në referim të Ligjit 7501 dt. 19.07.1991 “Për Tokën”, ndalohej shprehimisht ndarja e sipërfaqeve të llojit tokë truall në aktet e marrjes së tokës në pronësi. Vetëm fakti që kjo ndarje rezulton të jetë e pasqyruar në këtë AMTP e bën këtë të fundit, në rastin konkret, të falsifikuar. Komisioni i Tokës në Fshat, në atë kohë nuk mund të dispononte kurrsesi mbi një sipërfaqe tokë truall, sikundër nga ana tjetër, kjo parcelë nuk ka qene kurrë e tillë, pra e llojit tokë truall. Se çfarë konsiderohej tokë truall, vijon kallëzuesi, apo cilat sipërfaqe janë të përcaktuara si tokë truall, është e parashikuar në Ligjin 7501 date 19.7.1991 “Për Tokën”, neni 1, pika c) e tij, ku thuhet se toka jobujqësore janë: ato të zëna nga ndërtimet ekonomike, social-kulturore, repartet ushtarake dhe oborret e tyre, tokat e zëna nga ndërtimet e banimit dhe oborret (avllitë) e tyre, tokat në përdorim të përgjithshëm (rrugët, autostradat, aerodromet, varrezat); vende shkëmbore, rërat bregdetare, plazhet; tokat me ujë (liqenet, rezervuarët), kanalet e ndryshme, lumenjtë, përrenjtë, zallishtet, kënetat; sheshet e ndërtesave e të monumenteve me interes historik e arkeologjik, si dhe te gjitha tokat e tjera që nuk përfshihen në pikat “a” dhe “b” të këtij neni.
Kallëzuesi parashtron se në mënyrë absolute nuk mund të ndahej sipërfaqe tokë truall në favor të subjektit Foto Pavllo Mëhilli. Për këtë arsye, AMTP-ja në fjalë nuk mund të përcillej për regjistrim, pasi kjo bie ndesh me Vendimin Nr. 994 datë 09.12.2015, “Për Procedurën e Regjistrimit të Akteve të Marrjes së Tokës në Pronësi”, pika 1/d, ku parashikohet kryerja e verifikimeve të nevojshme nëse AMTP-ja përmban elementët e formës dhe përmbajtjes. Këto elementë konsistojnë në: …d) Përputhjen e llojit të pasurisë së disponuar me AMTP-në, me ndonjërën nga llojet e pasurive të kadastruara në zërin “Tokë bujqësore”, thuhet ndër të tjera në dosjen e SPAK.

Sipas SPAK, në rastin e parë Jorgo Goro ka falsifikuar dokumentet e më pas ka regjistruar 5512 m2 tokë shteti në favor të privatit. Në cilësinë e kryetarit të bashkisë së Himarës, Jorgo Goro, në bashkëpunim me vartësin e tij, Jerasmo Bashin, asokohe drejtor i Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës në bashkinë e Himarës, pa bërë asnjë verifikim në bazë të ligjit, kanë përcjellë pranë organeve kompetente dokumenta tërësisht të falsifikuara duke bërë të mundur më pas regjistrimin e një sipërfaqe prej 5512 m2 tokë bujqësore në pronësi shtet, në favor të subjektit privat.

Sipas SPAK, ky tjetërsim është përfituar në mënyrë të padrejtë nga Stavri Mëhilli. Aktualisht kjo sipërfaqe tokë bujqësore rezulton e sekuestruar nga GJKKO.

Sipas Prokurorisë së Posaçme, në cilësinë e kryetarit të bashkisë, Jorgo Goro, po në bashkëpunim me Jerasimo Bashi, drejtor i Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës në bashkinë Himarë, ka zhvendosur në mënyrë faktike në terren një sipërfaqe tokë bujqësore prej 5080 m2, duke ja mbivendosur atë një pasurie tjetër në pronësi të shtetit.

‘Shtetasi nën hetim ka tejkaluar të gjitha kompetencat që ligji i njeh, duke u shprehur për ekzistencën e një mbivendosje pasurish të paluajtshme në terren dhe më pas duke konfirmuar një plan vendosje, e cila rezulton të ketë shërbyer jo vetëm për transaksionet e mëpasshme ndërmjet subjekteve të ndryshëm por edhe për zhvillimin e  pronës, përfshirë këtu pajisjen me leje ndërtimi për një kompleks turistik në emër të një shoqërie tregtare, i cili do të ndërtohet mbi të dyja sipërfaqet në fjalë të cilat janë kufitare (10.592 m2). Në këto rrethana Jorgo Goro dhe Jerasimo Bashi, dyshohen për kyerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248 e 25 i Kodit Penal, kryer 2 herë.’- njofton SPAK.