Arrestimi i ish-policit në Serbi, Ambasada Gjermane kërkon hetim të shpejtë dhe proces të drejtë

Ish-punonjësi i Njësisë Speciale Operative të Policisë së Kosovës, Arbnor Spahiu, është ndaluar më 7 qershor në pikën kufitare midis Hungarisë dhe Serbisë dhe aktualisht ndodhet në paraburgim, nën dyshimin për përfshirje në një “vrasje të rëndë”. Autoritetet serbe i kanë caktuar atij masën e paraburgimit për një muaj, ndërsa rasti ka nxitur reagime nga institucione ndërkombëtare.

Ambasada Gjermane në Beograd ka konfirmuar përmes një deklarate për televizionin Dukagjini se është në kontakt të drejtpërdrejtë me Zyrën Ndërlidhëse të Kosovës në kryeqytetin serb, lidhur me ndalimin e Spahiut. Ambasada thekson se pret që autoritetet serbe të zhvillojnë hetime të shpejta dhe të verifikojnë besueshmërinë e akuzave që rëndojnë mbi ish-policin kosovar.

“Konfirmojmë se Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Beograd ka kontaktuar Ambasadën Gjermane për çështjen e z. Spahiu. Jemi në komunikim për këtë rast dhe presim që autoritetet serbe të hetojnë me shpejtësi dhe të garantojnë një proces të drejtë dhe në përputhje me normat ligjore,” thuhet në përgjigjen zyrtare të ambasadës.

Përfaqësuesit diplomatikë gjermanë theksuan se respektimi i standardeve ndërkombëtare të drejtësisë është thelbësor gjatë gjithë procesit hetimor dhe gjyqësor, ndërsa ndalimi i Spahiut shihet në Kosovë si pjesë e një praktike të përsëritur të arrestimeve politike nga ana e Serbisë ndaj ish-zyrtarëve të sigurisë së Kosovës.